TIRANE – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të një MEMO-je drejtuar Tiranës zyrtare paralajmërojnë nevojën e të bërit kujdes me deklaratat nacionaliste, në të kundërt “mos na bëni t’ju dënojmë publikisht!”, – thuhet në të.
Një pjesë e përmbajtjes së tekstit të saj u bë dje publike në emisionin e gazetarit, Sokol Balla.
“Ne jemi tejet të zhgënjyer dhe të shqetësuar se liderët shqiptarë po i largohen rolit tradicional konstruktiv që Shqipëria ka luajtur në rajon. Deklaratat e fundit publike të bëra nga politikanët shqiptarë për çështjen e monumentit të Preshevës e kanë kapërcyer vijën e diskutimeve të përgjegjshme, në atë të retorikës kundërproduktive dhe potencialisht të rrezikshme. Këto deklarata jo vetëm nxisin sjellje gjaknxehta dhe tërheqin vëmendjen nga përparësitë e vërteta të rajonit por gjithashtu potencialisht nxisin dhunën, gërryejnë paqen dhe stabilitetin, dhe ndikojnë në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara duke përdorur mesazhe negative etnike për qëllime politike, është destabilizuese dhe kundërprodhuese. Disa fakte mbi monumentin e Preshevës: Si fillim, ai është thjesht një monument. Një pllakë me disa emra mbi të. Nuk është një çështje territoresh, shkollash, zhvillimi ekonomik apo anëtarësimi në BE. Ai ishte një monument i ndërtuar ilegalisht dhe që kishte në një farë mënyre për qellim të provokonte qeverinë e Serbisë. E dyta e punës, qeveria e Serbisë tentoi të negocionte me politikanët vendas, por ata refuzuan të bëheshin pjesë e një dialogu real mbi këtë çështje. Është e vërtetë që qeveria e Serbisë mund të ishte treguar më e duruar edhe të vazhdonte tentativat për dialog, por përgjigja nga disa persona në Kosovë- (dëmtimi i varrezave) dhe përgjigja nga qeveria juaj vetëm sa i hodhën benzinë zjarrit dhe dëmtuan imazhin tuaj.”