Në një shenjë të rritjes së tensioneve në rajon, Marina e Shteteve të Bashkuara tha se do dërgojë një grup sulmues, përfshirë një aeroplanmbajtës, në Gadishullin Korean.

Zëdhënësi i Komandës amerikane të Paqësorit, Dave Benham, tha sot se grupi sulmues, Carl Vinson, po dërgohet në gadishull për ta mbajtur gatishmërinë dhe praninë në Paqësorin perëndimor.

Një tjetër zyrtar, i cili ka kërkuar që të mos identifikohet, tha se grupi sulmues po udhëtonte nga Singapori në gadishull, derisa janë shtuar shqetësimet për programin e armatimit të Koresë Veriore.

Zëdhënësi Benham tha se Koreja Veriore mbetet problemi numër 1 në rajon, për shkak të programit të testeve raketore dhe aktivitetit për kapacitet të armatimit atomik, që është një program i pamatur, i papërgjegjshëm dhe destabilizues.

Koreja Veriore disa herë kohët e fundit ka zhvilluar prova të raketave balistike, duke i shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara. Një test i tillë i fundit u bë në fillim të këtij muaji.