Shtetet e Bashkuara kanë nisur një tjetër seri sulmesh ajrore ndaj Iranit, njoftoi Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM).

Në një njoftim të publikuar në rrjetin social X, CENTCOM bëri të ditur se operacioni i ri ka nisur në orët e mëngjesit dhe ka si objektiv goditjen e kapaciteteve ushtarake iraniane.

“Në orën 06:00 sipas kohës lindore të SHBA-së, forcat e Komandës Qendrore amerikane nisën një valë sulmesh ndaj Iranit”, thuhet në deklaratën e CENTCOM.

Sipas ushtrisë amerikane, sulmet synojnë të dobësojnë më tej aftësitë ushtarake që forcat iraniane kanë përdorur për të sulmuar transportin tregtar në ngushticën e Hormuzit.

Ky zhvillim vjen pasi SHBA ka rivendosur bllokadën detare ndaj porteve iraniane dhe ka kryer një seri të re sulmesh ndaj objektivave në territorin e Iranit. Ushtria amerikane deklaroi se vala e fundit e goditjeve, e realizuar gjatë natës së kaluar, përfundoi në orën 22:00 sipas kohës lindore dhe kishte goditur dhjetëra objektiva ushtarakë pranë ngushticës së Hormuzit dhe zonave bregdetare.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur kërcënimet ndaj Teheranit, duke deklaruar se SHBA mund të godasë ura dhe centrale elektrike në Iran gjatë javës së ardhshme, nëse autoritetet iraniane nuk rikthehen në tryezën e negociatave.