Shtëpia e Bardhë hedh poshtë pretendimet e ministrit të jashtëm turk Mevlut Çavusoglu, se Donad Trump ka premtuar ekstradimin e Fetullah Gulenit në Turqi. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë sqaroi se çfarë diskutoi saktësisht presidenti amerikan me homologun turk në samitin e G20-ës.
“E vetmja gjë që tha është se do t’i hidhte një sy mundësisë së ekstradimit, por asgjë më shumë. Nuk ka marrë përsipër asgjë”, tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Pak ditë më parë, kryediplomati turk tha se Trump i kishte thënë Erdoganit gjatë takimit në Buenos Aires se Shtetet e Bashkuara po punojnë për ekstradimin e klerikut në arrati që Ankaraja e akuzon për terrorizëm.
Turqia e akuzon Gulenin për grushtin e dështuar të shtetit të korrikut 2016, ku u vranë mbi 200 persona si dhe për veprimtari kundër stabilitetit të vendit. Por Shtetet e Bashkuara dhe perëndimi i konsiderojnë të tepruara akuzat ndaj kundërshtarit kryesor politik të presidentit Erdogan, çka ka shkaktuar tensionim të marrëdhënieve brenda aleancës së NATO-s. Mosmarrëveshje, Uashingtoni dhe Ankaraja kanë edhe për çështjen e militantëve kurdë në Siri e Irak, që amerikanët i konsiderojnë aleatë, ndërsa turqit terroristë.





