Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump paditi Universitetin e Harvardit të premten me dyshimin se ka dështuar që të mbrojë studentët hebrenj dhe izraelitë dhe kërkon të rikuperojë miliarda dollarë nga paratë e taksapaguesve.
Në një padi të paraqitur në gjykatën federale të Bostonit, Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se Harvardi ka refuzuar qëllimisht të zbatojë rregullat e kampusit kur viktimat janë hebrenj ose izraelitë.
Padia pretendon se pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, studentët hebrenj dhe izraelitë në Harvard u ngacmuan, u sulmuan dhe u përndoqën dhe përgjigja e Harvardit ishte “të mos bënte asgjë”.
“Kjo i dërgoi mesazhin e qartë komunitetit hebraik dhe izraelit të Harvardit se indiferenca nuk ishte një aksident; ata po përjashtoheshin qëllimisht dhe në fakt po u mohohej qasja e barabartë në mundësitë arsimore“, thuhej në padi.
Padia e së premtes erdhi më pak se dy muaj pasi Trump tha se administrata e tij po kërkonte 1 miliard dollarë nga Harvardi për të zgjidhur hetimet mbi politikat e shkollës.
Kjo vjen gjithashtu pas një padie të 13 shkurtit, ku qeveria akuzoi Harvardin për dështim në përmbushjen e një hetimi federal dhe kërkoi dokumente për të përcaktuar nëse universiteti e ka konsideruar në mënyrë të paligjshme racën në procesin e pranimeve.





