Përmes ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, SHBA e treguan qartë se po u soset durimi me lëvizjet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit zyrtari i lartë i bëri thirrje t`i japë fund veprimeve e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin mes dy vendeve.

Reagimi i O`Brien erdhi pasi  institucionet e Kosovës njoftuan se kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri të vendit, të cilat, sipas Prishtinës zyrtare funksionin nën drejtimin e Beogradit. Lidhur me këtë veprim reagoi ashpër edhe Ambasada amerikane në Kosovë, duke thënë se veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të Kosovës pasqyrojnë përkeqësimin e partneritetit mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

“Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky veprim nuk ishte i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhej në deklaratën e saj. O’Brien theksoi se deklarata e ambasadës mëse të qartë se SHBA-ja është e shqetësuar “nga veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”.

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij të konsultohen dhe koordinohen me partnerët ndërkombëtarë dhe të ndalë veprimet që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, shkroi ai në rrjetin social X.

Lidhur me aksionin e autoriteteve të Kosovës në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se i bashkohen Ambasadës amerikane në shprehjen e “shqetësimit dhe zhgënjimit me veprimet e pakoordinuara”. Ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot, duke shpërndarë në X deklaratën e Ambasadës amerikane, u shpreh se hapa të tillë nuk janë të mirëpritur dhe se veprimet e njëanshme nuk sjellin zgjidhje të qëndrueshme”.

E ambasadori britanik Johanthan Hargreaves, po ashtu, foli për nevojën e konsultimit të kujdesshëm me miqtë e Kosovës dhe “partnerët e sigurisë, në kontekstin e një dialogu më të gjerë”.