TIRANË, 15 nëntor 2013 – Ka qenë thuajse e pamundur dje [më 14 nëntor 2013] të kuptoje çfarë vendimi do të marrë kryeministri Rama. Ndoshta sepse ai vetë nuk ka marrë ende vendim. Pasdite u përhap lajmi që ai po kthehej nga Mali i Zi, për të thënë JO. Lajmin e përcollën mediat njëra pas tjetrës duke cituar “burime të sigurta”, por njerëz afër Ramës, këmbëngulën ndërkohë që vendimi nuk është marrë dhe që lajmi i përhapur ishte fals. Ndërkohë në shesh, protestuesit u shtuan dhe presioni u bë maksimal. Ajo që mund të thuhet me siguri është që Rama është në dilemë dhe me siguri që nata e mbrëmshme nuk ka qenë një natë e zakonshme për të. Nuk do jetë sigurisht një vendim që do ta marrë vetë. DITA lajmëroi dy numra më parë atë që u konfirmua mbrëmë edhe nga ambasadori Arvizu gjatë intervistës televizive: që një nga opsionet shqiptare në tryezë ishte që helmet të çaktivizoheshin, por të mos groposeshin këtu. DITA posedon sot nga burime diplomatike, një informacion tjetër: atë se çfarë kanë qenë të gatshëm amerikanët të ofrojnë në këmbim të përfshirjes së Shqipërisë në këtë çështje. Oferta e tyre është përmbledhur në shkrimin bashkëngjitur. Theksojmë fare hapur dy gjëra për lexuesin tonë: E para, kjo ofertë ka dalë nga burime diplomatike jo-amerikane. E dyta, nuk duam të ndikojmë aspak protestuesit, kauzën e të cilëve e kemi mbështetur pa dalë ata ende në rrugë. Kemi bërë të qartë që Rama duhet të zgjedhë mes Popullit dhe Perëndimit. Kemi thënë JO, por siç e keni vënë re kemi botuar lirisht opinione pro dhe kundër në këtë çështje. Qëllimi ynë është të informojmë. Ne mendojmë që është ndryshe të protestosh i informuar, dhe ndryshe të protestosh i painformuar. Duhet të dish çfarë refuzon, të jesh i vetëdijshëm për atë së cilës po i thua JO. Sepse kjo e bën protestën më kuptimplote dhe më krenare. Dhe protestuesin e bën sigurisht më dinjitoz.
“I’m gonna make him an offer he can’t refuse”
“I’m gonna make him an offer he can’t refuse”, që e shqipëruar do të thotë: “Kam për t’i bërë një ofertë që ai s’e refuzon dot”. Kjo shprehje epike e artikuluar nga një personazh kinematografik të vjen e para ndërmend, kur njihesh me një ofertë gati të pabesueshme të shtruar dje nga pala amerikane në tryezën e tavolinës së negociatave me Shqipërinë për armët kimike. Burime diplomatike thanë dje për DITA se pala amerikane, ka hedhur në tryezë një ofertë me së paku 5 pika, nga të cilat duket qartë që kanë thyer çdo vetëkufizim; kanë ofruar maksimumin. Mes 5 pikave të ofertës bie menjëherë në sy premtimi amerikan për t’i dhënë Shqipërisë valencën e një shteti që është në marrëdhënie të veçantë me SHBA-të, përfshirë dhe heqjen e vizave. Por mes pikave të paketës së propozuar ekziston dhe një pikë e renditur e treta e cila premton mbulimin me ndihmë financiare në vlerën e 3-fishit të Buxhetit të Shqipërisë. Buxheti i Shqipërisë për vitin 2012 u llogarit në 4 miliardë dollarë. Trefishi i kësaj shifre është 12 miliardë dollarë.
Paketa diplomatike
Të njëjtat burime diplomatike kanë konfirmuar dje për DITA -n se në paketë përfshihen dhe dy pika që lidhen me angazhimin amerikan për mbështetjen e Shqipërisë në proceset integruese, madje këto dy pika janë renditur të parat. Mbështetja amerikane dhe lobimi intensiv në të gjitha nivelet me të gjitha mënyrat për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda muajit Dhjetor. Pika e dytë në rrafshin e premtimit diplomatik është lobimi për përfshirjen e Shqipërisë me të drejta të plota, pra përfshirje përfundimtare në BE, brenda mandatit të parë të qeverisë socialiste. Si pikë e fundit e premtimeve është angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për propozimin e vendit tonë për çmimin “Nobel” për Paqen. Kjo është paketa e 5 pikave të ofertës amerikane e hedhur ditën e djeshme në tryezën e bisedimeve, sipas burimit diplomatik të DITA -s. Edi Rama duhet ta shqyrtojë e të vendosë. Deri dje Edi Rama nuk ka thënë dot as Po e as Jo, ndaj kësaj oferte, por njerëz pranë rrethit të tij të ngushtë njoftuan se Rama anon për shumë nga “JO”. Një aludim të tillë bëri dje dhe “Zëri i Amerikës”, i cili ndërsa thoshte fillimisht se qeveria shqiptare po përgatitet për mos pranuar lëndët kimike, citonte më pas në një përditësim të lajmit duke shtuar se “qeveria nuk ka i ka ndërprerë negociatat”.
Paketa amerikane e hedhur dje në tryezë:
1. Ndihmë për sigurimin e statusit të vendit kandidat brenda dhjetorit
2. Ndihmë për aderimin e plotë të Shqipërisë në BE brenda mandatit të parë të qeverisë Rama
3. Mbulim financiar sa 3-fishi i buxhetit të Shqipërisë (buxheti i Shqipërisë ishte 4 miliardë USD për vitin 2012)
4. Garantimi dhe dhënia e një statusi të veçantë për Shqipërinë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në proces përfshihet dhe heqja e vizave
5. Propozimin e Shqipërisë për çmimin “Nobel” për paqen.
http://gazetadita.al/bejini-





