Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me pezullimin e vizave të SHBA për 75 vende, ku mes tyre është edhe Shqipëria.
Sipas ministres SHBA nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve, por ka ndryshuar politikën e emigracionit për lejet e qëndrimit.
Deklaratat e bërë në Shqipëri, ajo i quan si rrebeshe spekulimesh politike.
“Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!
Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.
Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.
Pra nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.
Pra shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”, thotë Spiropali.





