Presidenti amerikan Barack Obama bëri sot vizitën e tij të parë në një xhami amerikane, ku bëri thirrje për tolerancë ndaj miliona myslimanëve të Shteteve të Bashkuara. Presidenti amerikan bëri thirrje gjithashtu për t’ju kundërvënë paragjykimeve, që ai tha se janë në rritje në procesin e fushatës presidenciale, ndërkohë që flitet për luftë kundër terrorizmit.

Në Shoqërinë Islame të Baltimorës, që përfshin një kampus universitar me një xhami dhe një shkollë 12-vjeçare, presidenti Obama u ul në një tryezë të madhe me përfaqësues myslimanë të universitetit dhe aktivistë për të diskutuar mbi tolerancën dhe lirinë fetare. Ai mbajti edhe një fjalim, ku u përqendrua te çështja se si Shtetet e Bashkuara mund të përballen më me sukses me ekstremizmin, nëse punojnë me myslimanët, në vend që t’i cilësojnë ata si armiq të mundshëm. "Retorika antimyslimane është e pajustifikueshme," – tha presidenti Obama.