Rënia e Bashar al-Assad në Siri ilustron një Rusi dhe Iran të dobësuar, tha në një reagim Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se të dyja vendet “nuk janë më në gjendje të ofrojnë mbështetjen që i nevojitej regjimit për të mbijetuar”.

Për CNN, zv.këshilltari i sigurisë kombëtare, Jon Finer, tha se regjimi i Assadit ishte “në mënyrë efektive një ndërmarrje e përbashkët ruso-iraniane brenda Sirisë dhe të dy këta partnerë të sipërmarrjes së përbashkët nuk ishin më në gjendje të ofronin mbështetjen që i nevojitej regjimit për të mbijetuar, dhe kjo është një pjesë e madhe e arsyes pse nuk është më në pushtet”.

“Nuk është humbja e parë që Irani ka pësuar gjatë vitit të kaluar në Lindjen e Mesme,” – tha Finer, duke treguar Hamasin dhe Hezbollahun.

Ai tha gjithashtu se përpjekjet e Iranit për të goditur Izraelin me raketa balistike kishin dështuar.

Nga ana e Rusisë, Finer tha se lufta në Ukrainë tashmë “ka treguar se çfarë lloj partneri sigurie mund të jetë Rusia për vendet e tjera”.