Republikanët e Presidentit Donald Trump në Senat rrëzuan të premten veton e tij ndaj një projektligji për mbrojtjen, duke iu kundërvënë kundërshtimeve të tij të forta.
Kjo shënon herën e parë gjatë katër viteve të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë që republikanët e Senatit hedhin poshtë veton e tij ndaj një projektligji.
I mbledhur në një sesion të pazakontë për ditën e parë të Vitit të Ri, Senati votoi 81 me 13 duke arritur shumicën e nevojshme me dy të tretat për të tejkaluar veton presidenciale me mbështetje nga të dyja partitë, vetëm dy ditë para se Kongresi i ri të bëjë betimin të dielën. Tetë veto të mëparshme të presidentit janë mbështetur prej tyre.
Ligjvënësit republikanë kanë qëndruar kryesisht pranë presidentit gjatë katër viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Që nga humbja e zgjedhjeve në nëntor, Presidenti Trump i ka kritikuar ata për faktin që nuk i mbështetën plotësisht pretendimet e tij të pabaza për mashtrim elektoral, që refuzuan kërkesën e tij për ndihmë më të madhe financiare ndaj familjeve amerikane në vështirësi dhe që po anashkalojnë veton presidenciale.
Senati i udhëhequr nga republikanët shqyrtoi në mesditë Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), një projektligj prej 740 miliardë dollarësh, të cilin zoti Trump nuk pranoi ta kthejë në ligj, sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë.
Akti për Mbrojtjen financon shumë projekte qeveritare, që nga numri i anijeve që prokurohen e deri te pagesat për ushtarët dhe masat për të përballuar kërcënimet gjeopolitike.
Dhoma e Përfaqësuesve tashmë e ka rrëzuar veton e presidentit.
Presidenti Trump refuzoi ta nënshkruante atë në ligj sepse nuk shfuqizonte disa mbrojtje ligjore për kompanitë e teknologjisë. Presidenti gjithashtu kundërshtonte një dispozitë që u heq bazave ushtarake të vendit emrat e gjeneralëve të luftës civile amerikane që luftonin në emër të Konfederatës së shteteve të jugut.
Nga ana tjetër, demokratët, në një rreshtim të pazakontë në krah të Presidentit Trump, përshëndetën thirrjen e tij për pagesa të drejtpërdrejta prej 2,000 dollarësh për familjet amerikane, nga 600 dollarë për familje të miratuara deri tani.
Për pagesa më të mëdha janë edhe një numër republikanësh, por shumë të tjerë thonë se paratë do t’u shkonin njerëzve që nuk janë në nevojë.
Presidenti Trump, i cili u kthye në Uashington të enjten nga klubi i tij privat në Florida, ka rritur trysninë ndaj republikanëve dhe i ka kritikuar udhëheqësit e partisë.
Tensionet mes republikanëve po rriten gjithashtu rreth planit të disa konservatorëve për të shprehur kundërshtimin e tyre të mërkurën e ardhshme, kur Kongresi i ri zyrtarisht do të votojë mbi rezultatet e Kolegjit Zgjedhor që konfirmon fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhje para se ai të bëjë betimin më 20 janar.
Sipas njoftimeve të medias, kreu i shumicës republikane të Senatit Mitch McConnell, i cili ka pranuar publikisht fitoren e zotit Biden, ngriti të enjten pikëpyetje në një bisedë telefonike me grupin e tij rreth planit të senatorit republikan Josh Hawley për të kundërshtuar në seancën e datës 6 janar.
Sipas televizionit CNN, të paktën 140 republikanë në Dhomën e Përfaqësuesve pritet të dalin me kundërshtime të ngjashme, pavarësisht se Kongresi në këtë rast ka thjesht një rol ceremonial.
Manovrat e planifikuara në seancë, mund të bëhen shkak për një debat të gjatë në Senat, por nuk kanë asnjë shans të përmbysin rezultatin e zgjedhjeve. /VOA