SHBA– Ligjvënësit republikanë nuk përjashtojnë mundësinë e përdorimit të kufirit të borxhit amerikan si kusht në betejat për uljen e deficitit me demokratët dhe administratën Obama. Një dinamikë e ngjashme partiake në vitin 2011 çoi në uljen e vlerësimit të kreditit të Shteteve të Bashkuara.

Viti i ri dhe betimi i Kongresit të ri nuk i kanë zbutur betejat e njohura mes demokratëve dhe republikanëve, kur është fjala për borxhin e vendit.

Mosngritja e kufirit të borxhit mund të bëjë që qeveria federale të mos ketë fonde në muajt e ardhshëm dhe kjo mund të trondisë besimin ndërkombëtar në kredinë e Shteteve të Bashkuara.
 
Ashtu si në vitin 2011, shumë republikanë sot kërkojë një dollar shkurtime shpenzimesh për çdo dollar në ngritjen e kufirit të borxhit. Por ndryshe nga dy vjet më parë, Presidenti Barak Obama ka thënë se nuk do të bëjë lëshime lidhur me kufirin e borxhit, një qendrim që nuk i pengon republikanët të vënë në jetë kërcënimin që do t’i sillte dëme të mëdha ekonomisë amerikane dhe asaj botërore.
  
Javën e kaluar Kongresi miratoi ligjin për të shmangur ngritijen e taksave dhe për të shtyrë afatin e shkurtimit të shpenzimeve. Marrëveshja e momentit të fundit ngre taksat për amerikanët me të ardhurat më të larta.
 
Presidenti Obama thotë se shkurtimi i shpenzimeve dhe shtimi i të ardhurave do të jenë të nevojshme për të ulur deficitin buxhetor prej triliona dollarësh të Shteteve të Bashkuara. Republikanët thonë se çështja e taksave tashmë është e përfunduar dhe përpjekjet për uljen e deficitit duket të përqendrohen vetëm tek shpenzimet.