Sekretari amerikan i shtetit John Kerry ka bërë të ditur se grupi xhihadist i Shtetit Islamik është duke ushtruar gjenocid kundër të krishterëve dhe minoriteteve të tjera në Irak dhe Siri. Në këtë përfundim ka arritur kryediplomati amerikan, teksa përmbushi afatin e vendosur nga Kongresi për të publikuar këtë gjetje.
Zbulimi i sekretarit Kerry nuk do t'i detyrojë Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprime të tjera shtesë kundër militantëve të Shtetit Islamik, ndonese ai nuk foli per ndjekje penale kundër xhihadistëve.
Ky reagim i sekretarit Kerry erdhi një ditë pasi Departamenti i Shtetit bëri të ditur se sekretari i shtetit mund të humbiste afatin limit të 17 marsit, për të përcaktuar faktin që të krishterët, ata të komunitetit jazidi dhe grupet shiite kanë rënë viktima të gjenocidit xhihadist. Edhe Dhoma e Përfaqësuesve kishte kaluar në unanimitet të plotë, më herët gjatë kësaj jave, një rezolutë jodetyruese që dënonte krimet dhe gjenocidin e Shtetit Islamik, me 393 vota pro e asnjë kundër.