Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar të shtunën një anije cisternë me pronësi kineze që lundronte në ujëra ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës, duke intensifikuar presionin ndaj qeverisë së presidentit Nikolas Maduro, thanë dy zyrtarë amerikanë.

Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe Axios, bëhet fjalë për supertanker-in “Centuries”, i ngarkuar me deri në 2 milionë fuçi naftë bruto. Anija lundronte nën flamurin e Panamasë, ndërsa ngarkesa i përkiste një kompanie kineze. Deri tani, anija nuk figuronte në listat amerikane të sanksioneve.

Burimet bëjnë të ditur se Roja Bregdetare e SHBA-së hipi në anije pa rezistencë, në kuadër të një operacioni ndalimi, me mbështetje nga forcat detare amerikane, por pa rol kryesor operacional.

Operacioni vjen vetëm pak ditë pas sekuestrimit të një tjetër tankeri, “Skipper”, dhe pas deklaratës së presidentit Donald Trump se do të vendosë një “bllokadë të plotë” ndaj eksporteve të naftës së Venezuelës përmes anijeve që janë subjekt sanksionesh.

“Kam urdhëruar një bllokadë të plotë dhe absolute të të gjitha tankerëve të naftës që janë nën sanksione dhe që shkojnë drejt ose largohen nga Venezuela”, deklaroi Trump.

Pas sekuestrimit të fundit, disa anije të ngarkuara me miliona fuçi naftë kanë mbetur brenda ujërave territoriale të Venezuelës, duke shmangur lundrimin nga frika e sekuestrimeve të tjera, çka ka krijuar në praktikë një embargo jozyrtare. Si pasojë, eksportet e naftës bruto të Venezuelës kanë pësuar rënie të ndjeshme.

Kina mbetet blerësi më i madh i naftës venezueliane, e cila përbën rreth 4% të importeve totale të saj. Analistët vlerësojnë se dërgesat në dhjetor arrijnë mesatarisht mbi 600 mijë fuçi në ditë.

Aktualisht, tregu global i naftës konsiderohet i furnizuar mjaftueshëm, me miliona fuçi që ndodhen në tankerë pranë brigjeve kineze në pritje të shkarkimit. Megjithatë, nëse embargoja zgjat, humbja e gati një milion fuçive në ditë nga oferta globale mund të çojë në rritje të çmimeve të naftës.

Që nga vendosja e sanksioneve energjetike ndaj Venezuelës në vitin 2019, tregtarët kanë përdorur një “flotë hije” tankerësh për të shmangur kontrollin, përfshirë anije të sanksionuara më parë për transport nafte nga Irani apo Rusia.

Nga ana e tij, presidenti venezuelian Nikolas Maduro ka akuzuar SHBA-në se po synon rrëzimin e tij dhe marrjen e kontrollit mbi burimet e naftës së vendit, i cili zotëron rezervat më të mëdha të naftës bruto në botë.