Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk nënshkroi paketën për ndihmën për koronavirusin dhe buxhetin përpara mesnatës, duke sjellë si rezultat skadimin e përfitimeve për një numër në rritje të papunësh.
Në fillim të javës zoti Trump kritikoi ashpër projektligjin dhe la të kuptohej të shtunën se ende është kundër tij.
“Unë thjesht dua t’u jap 2000 dollarë njerëzve tanë të mrekulluesëm, në vend të shumës së vogël prej 600 dollarësh që është propozuar. Gjithashtu, ndalni shpenzimin e miliarda dollarëve në ‘përfitime’”, shkroi ai në Twitter.
Rritja e shumës së ndihmave u pa si një kritikë ndaj vetë anëtarëve të Partisë së tij Republikane, të cilët u kishin rezistuar përpjekjeve të demokratëve për të negociuar pagesa më të mëdha.
14 milionë amerikanë do të humbasin përfitimet e papunësisë, sipas të dhënave të Departamentit të Punës.
Presidenti i zgjedhur Joe Biden i bëri thirrje zotit Trump të nënshkruajë projektligjin.
“Heqja dorë nga përgjegjësia sjell pasoja shkatërruese… Ky projektligj është jetik. Duhet të miratohet tani”, tha zoti Biden i cili ndodhet me pushime në shtetin Delauer.
Presidenti po kalon pushimet në rezidencën e tij në Florida, ndërsa demokratët dhe republikanët presin të shohin nëse ai do të nënshkruajë paketën prej 2.3 trilionë dollarësh, që përfshin 892 miliardë dollarë ndihmë për pandeminë. Projektligji është dërguar nga Uashingtoni në klubin e tij Mar-a-Lago, që ai ta nënshkruajë nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë.
Zoti Trump nuk kërcënoi me përdorimin e vetos ndaj projektligjit, por ai befasoi ligjvënësit e dy partive kur e quajti atë “të turpshëm” pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, pas muaj negocitatash.
Një mbyllje e pjesshme e qeverisë federale mund të fillojë herët të martën nëse Presidenti Trump nuk e nënskruan projektligjin. Kongresi planifikon që të hënën të kthehet në punë, duke ndërprerë pushimin e zakonshëm të Krishtlindjes në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje që do të mundësonte zgjatjen e financimit të qeverisë për disa ditë ose javë ndërsa ngërçi të tejkalohet.
Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të votojnë të hënën për të rrëzuar veton e Presidentit Trump për një projektligj prej 740 miliardë dollarësh që autorizon programet e mbrojtjes së vendit. Nëse Dhoma e Përfaqësuesve e miraton, Senati mund të votojë mbi këtë masë që të martën. Procesi kërkon votat e dy të tretave në të dy dhomat në mënyrë që vetoja presidenciale të rrëzohet.
Presidenti Trump e ka kritikuar ligjin për mbrojtjen në disa aspekte, duke pretenduar pa dhënë shpjegime se ligji ndihmon Kinën, si dhe ka kërkuar heqjen e frazave që lejojnë ndryshimin e emrave të bazave ushtarake që nderojnë udhëheqësit e Konfederatës. Ai gjithashtu ka kërkuar shtimin e një klauzole që e bën më të lehtë paditjen e kompanive të mediave sociale për materiale të publikuara nga përdoruesit e tyre.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e quajti veton e Presidentit Trump “një gjest tronditës shpërfilljeje që dëmton trupat ushtarake të vendit”.
Megjithatë, zonja Pelosi e ka mirëpritur thirrjen e Presidentit Trump për pagesa të drejtpërdrejta prej 2 mijë dollarësh për të gjithë amerikanët që gjenden nën një nivel të caktuar të ardhurash dhe të enjten i nxiti republikanët ta sfidojnë Presidentin Trump, duke mos lejuar rritjen e pagesave.
Zonja Pelosi ka njoftuar se synon të organizojë një tjetër votim të hënën. Eshtë e mundshme të kalojë në Dhomën e Përfaqësuesve, ku demokratët kanë shumicën, por nuk ka shumë gjasa të kalojë në Senatin e kontrolluar nga republikanët.
Shtëpia e Bardhë nuk dha hollësi për planet e presidentit gjatë Krishtlindjes.
“Gjatë sezonit të festave, Presidenti Trump do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për popullin amerikan. Planet e tij përfshijnë shumë takime dhe telefonata”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Presidenti u fotografua të enjten dhe të premten duke luajtur në fushat e tij të golfit pranë Mar-a-Lagos. Mediat njoftuan se Ditën e Krishtlindjes ishte me të edhe aleati i tij i afërt, Senatori republikan Lindsey Graham./VOA