Zyrtarë të lartë amerikanë, izraelitë dhe sirianë pritet të takohen të enjten në një përpjekje për të arritur mirëkuptime mbi sigurinë në lidhje me situatën në Sirinë jugore, tha për Axios një zyrtar amerikan dhe një burim tjetër me njohuri.

Ky do të jetë takimi i parë midis palëve që nga shpërthimi i krizës javën e kaluar në qytetin Suwayda në Sirinë jugore javën e kaluar dhe sulmet izraelite në Damask që pasuan.

Takimi do të kryesohet nga i dërguari i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, i cili ka ndërmjetësuar midis palëve në javët e fundit. Burimet thanë se do të marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Izraeli dhe Siria.

Takimi pritet të përqendrohet në marrëveshjet e sigurisë në Sirinë jugore dhe në rritjen e koordinimit dhe komunikimit midis Izraelit dhe Sirisë, për të parandaluar krizat midis vendeve si ajo e javës së kaluar.

“Tani ka qetësi relative, por çështjet themelore nuk do të zgjidhen pa marrëveshje gjithëpërfshirëse midis SHBA-së, Izraelit dhe qeverisë siriane”, tha një zyrtar i lartë izraelit.

Ende nuk është e qartë se ku do të zhvillohet takimi i së enjtes. Takimet e mëparshme janë mbajtur në Baku, midis këshilltarit izraelit të sigurisë kombëtare Tzachi Hanegbi dhe ministrit të jashtëm sirian Asaad Al-Sheibani.

Të martën e kaluar, Izraeli bombardoi një konvoj me tanke të ushtrisë siriane që ishin në rrugë drejt qytetit të Suwayda-s për t’iu përgjigjur përleshjeve të dhunshme midis një milicie druze dhe fiseve të armatosura beduine.

Izraeli pretendoi se konvoji kaloi në një zonë të Sirisë jugore që kërkon të çmilitarizohet, dhe se ushtria siriane po merrte pjesë në sulme ndaj pakicës druze, gjë që Siria e mohoi.

Izraeli e përshkallëzoi incidentin të nesërmen me sulme ajrore në Damask, duke përfshirë edhe sulme pranë pallatit presidencial. Zyrtarët amerikanë fajësuan keqkomunikimin midis qeverive siriane dhe izraelite.

Sulmet ajrore izraelite alarmuan zyrtarët e lartë amerikanë dhe thelluan shqetësimet e tyre lidhur me politikat e Izraelit në të gjithë rajonin.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt,konfirmoi të hënën se Presidenti Trump ishte i pakënaqur me sulmet ajrore të Izraelit në Siri javën e kaluar dhe i bëri thirrje Kryeministrit Benjamin Netanyahu për të “korrigjuar” situatën./Axios.