Një sulm me valë ultrasonike ka turbulluar kohët disi të qeta në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës, pas përpjekjeve të ish-presidentit Barack Obama.

Tashmë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të tërheqin pjesën më të madhe të stafit diplomatik nga Ambasada e tyre në Kubë, me pretendimin se kanë pësuar një sulm ultrasonik.

“Rreth 60% e stafit diplomatik do të largohet nga ishulli komunist, pas sulmeve të ndërmarra ndaj diplomatëve”,tha një zyrtar i paidentifikuar për mediet amerikane.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar gjithashtu shtetasit amerikanë që të mos vizitojnë ishullin, për shkak të zhurmave mbi limitet e pranueshme nga individi, që dëgjohen nëpër hotele.

Më shumë se 20 persona të stafit diplomatik janë raportuar me probleme shëndetësore. Stafi diplomatik ka vuajtur nga disa shqetësime, që variojnë nga traumat e lehta të trurit, humbja e dëgjimit, e deri në marrje mendsh apo të përzierat. Të paktën dy shtetas kanadezë janë prekur gjithashtu nga të njëjtat simptoma.

Kuba mohon të jetë përfshirë në këto sulme të raportuara.