Shtetet e Bashkuara do t’i ofrojnë Kievit një paketë të re ndihme ushtarake prej 500 milionë dollarësh, njoftoi sot Pentagoni, në shenjë mbështetjeje për luftën e Ukrainës kundër pushtuesve rusë, dhe ndërsa Moska po merret me pasojat e kryengritjes mercenare të Wagner.
Paketa do të përfshijë rreth 50 automjete të blinduara – duke përfshirë Bradley dhe Stryker – raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot dhe lëshuesit vetëlëvizës HIMARS, si dhe pajisje për pastrimin e minave, tha në një deklaratë Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.
Paketa e re e ndihmës ushtarake përfshin furnizime thelbësore për të mbështetur operacionet kundërofensive të Ukrainës, për të forcuar mbrojtjen e saj ajrore, për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë popullin e saj dhe pajisje të tjera që do t’i mundësojnë Kievit të zmbrapsë pushtuesit rusë, sipas Pentagonit.
Paketa financohet nën fuqinë që presidenti i SHBA-së ka për të transferuar pajisjet dhe shërbimet e mbrojtjes nga rezervat amerikane pa miratimin e Kongresit gjatë një emergjence. Materiali do të vijë nga inventari i tepërt i SHBA.
Paketa e ndihmës për sigurinë është e 41-ta e miratuar nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022, me një total prej më shumë se 40 miliardë dollarë.