Hillary Clinton dhe Donald Trump kanë qenë kandidatët më të votuar në konventat e të martës për partitë politike respektive. Nga radhët e demokratëve, Hilary ka arritur të regjistrojë rezultate pozitive në Alabama, Arkansas, Georgia, Tennesse, Teksas dhe Virginia, duke e çuar në 11 numrin e shteteve në të cilët ka fituar. "Ju faleminderit të gjithëve… Jam shumë e kënaqur që jam sot me ju në Florida. Ky shtet iu takon të gjithëve dhe jo vetëm atyre që janë në krye. Jo vetëm njerëzve që janë në një drejtim, punojnë apo mendojnë në një drejtim, por të gjithëve," – tha Clinton.
Demokrati Bernie Sanders ka arritur që të fitojë në Colorado, Oklahoma, Minesota dhe Vermont. Ai përsëriti edhe njëherë se fushata e tij është për të transformuar Shtetet e Bashkuara, e cila ka mundësi të bëhet një vend i madh.
Në kampin republikan, Donald Trump ka vërtetuar edhe njëherë se ai është favoriti kryesor për të qenë përfaqësuesi i kësaj force politike në garën për Shtëpinë e Bardhë, duke fituar në Alabama, Arkansas, Georgia, Masacchusets, Tennessee dhe Virginia. "Kjo ishte një mbrëmje e mrekullueshme, ne fituam pesë shtete të mëdha. Unë do të jem një president i mirë. Vendi është në telashe të mëdha. Infrastruktura jonë është në gjendje shumë të keqe, rrugët, spitalet, shkollat. Ju do të jeni shumë krenar me mua si president," – tha Donald Trump.
Kandidati tjetër republikan Ted Cruz nuk ka mundur dot t’i bëjë ballë Trump, teksa ka fituar vetëm në Oklahoma dhe Teksas.