Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur të dhënat e fundit qeveritare për punësimin në SHBA, të cilat para se të merrte detyrën i kishte cilësuar si “të rreme” dhe “qesharake”.
Ekonomia amerikane regjistroi 235 mijë vende të reja pune gjatë muajit shkurt, muaji i parë i plotë i Trump në detyrë. Në profilin e tij në Twitter, ai ripostoi mesazhin “Të mëdhenj sërish”. 
Gjatë fushatës së tij në muajin gusht, zoti Trump i cilësoi shifrat e Departamentit të Punës si “tallja më e madhe në politikën moderne të Amerikës”. 
I pyetur për këto qëndrime kontradiktore në konferencën për shtyp të së premtes, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se zoti Trump beson se, “shifrat mund të kenë qenë të rreme në të kaluarën, por janë shumë reale tani”. 
Shifrat e fundit tregojnë rënie të kuotës së papunësisë në Shtetet e Bashkuara nga 4.8 në 4.7 për qind. 
Rritja e vendeve të punës i atribuohet motit të butë, që ka lejuar vazhdimin e projekteve të ndërtimit dhe rrjedhimisht punësimin në mënyrë të pandërprerë. Muaji i kaluar ishte shkurti më i ngrohtë në histori.