Presidenti amerikan Barack Obama ka shpallur gjendjen e emergjencës në qytetin Flint, të shtetit Michigan, për shkak të ujit të pijshëm të ndotur me plumb. Uji i pijshëm, me të cilin furnizohet qyteti, ka rezultuar i ndotur me plumb dhe ndotja mund të ketë ndodhur që prej vitit 2014, pas ndryshimit të furnizuesit të qytetit.
Në muajin tetor, analizat periodike të gjakut, që kryhen tek fëmijët, zbuluan një rritje të nivelit të plumbit. Më pas u saktësua se ai vinte nga uji i pijshëm. Ekspozimi ndaj plumbit mund të shkaktojë çrregullime në të mësuarit dhe probleme në sjelljen e fëmijëve. Qytetarët e Flint ishin ankuar për ujin e ndotur dhe me erë të keqe, ndërkohë që kishin shfaqur edhe dhimbje koke apo skuqje të lëkurës nga përdorimi i ujit, me të cilin furnizoheshin nga kompania e re, që ishte caktuar që prej vitit 2014.
Autoritetet kanë bërë të ditur nisjen e hetimeve për çështjen e ujit të pijshëm, për të parë nëse janë shkelur ose jo ligjet shtetërore.