SHBA, 29 mars 2014 – Aulona Alia ose Lona Duncan siç njihet në Amerikë është një vajzë shqiptare, nga Tirana, që vite më parë emigroi drejt SHBA-së bashkë me familjen e saj. Sot ajo jeton dhe punon në San Francisko. Është bërë e famshme atje, pasi ka marrë pjesë në një konkurs ku paraqiteshin ide për biznes dhe juria e vlerësoi mjaft projekti e saj duke e shpallur fitues. Ajo është e para shqiptare që pranohet në këtë konkurs dhe për më tepër e para shqiptare që fiton. Tashmë, ideja e saj është duke u zhvilluar dhe mediat në Amerikë po flasin shumë për vajzën që është lindur në kryeqytet.

Por siç nisi karriera e saj. Në foto Lona duket se është një vajzë e bukur bionde, plot sharm dhe mjaft elegante. Ishte vetëm 16 vjeç kur filloi të merrej me modelim, pasion të cilin e ka edhe sot, por pak kohë pas përfundimit të universitetit, ajo e la mënjanë këtë rrugë, për t’iu futur karrierës së biznesit. Më vonë, Duncan përfundon studimet në degën e biznesit në universitetin “Xhorxh Uashington”, me idenë e qartë që të ndiqte rrugën e sipërmarrjes.

Në fund të muajit shkurt të vitit 2013, znj. Duncan bën kapërcimin që priste, hyn mes Modës dhe Teknologjisë. Aty u paraqit edhe në konkursin e Startup me idenë e saj (të bësh biznes për 54 orë). Konkurrimi u bë në San Fransisco. Ideja  iu dha një ekipi prej dhjetë specialistësh, inxhinierësh, projektuesish dhe profesionistësh të zhvillimit të biznesit për të ndërtuar produktin e saj në 54 orë. Synimet e saj ishin konkrete; të ndërtonte një faqe, ku njerëzit të jepnin me qira veshjet e tyre.

Në fund, shqiptarja u shpall fituese dhe ndërtoi faqen StyleLend. Tashmë koncepti është duke u zhvilluar. Shërbimi është në dispozicion vetëm në San Francisko, por Lona shpreson për ta nisur në Nju Jork në dy muajt e ardhshëm.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/