Sot, autoritetet amerikane vendosën sanksione ndaj disa zyrtarëve kinezë që po zbatojnë një politikë të “asimilimit të detyruar” të fëmijëve tibetianë, më shumë se një milion prej të cilëve janë ndarë nga familjet e tyre, sipas ekspertëve të OKB-së.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se vendi i tij nuk do t’u japë më viza udhëheqësve kinezë përgjegjës për një sistem të shkollave me konvikt ku të rinjtë tibetianë ndahen me forcë nga familjet e tyre.

Vendimi është pjesë e një sërë masash që synojnë Kinën nga SHBA, pavarësisht rifillimit të fundit të dialogut midis përfaqësuesve të lartë të dy fuqive.

Politika e Pekinit “synon të eliminojë traditat gjuhësore, kulturore dhe fetare të Tibetit midis brezave të rinj të tibetianëve”, tha Blinken.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve kineze që të ndalojnë dërgimin me forcë të fëmijëve tibetianë në shkollat shtetërore të konviktit dhe t’i japin fund politikës së asimilimit të detyruar në Tibet dhe pjesë të tjera të Kinës”, shtoi ai.

Që nga viti 2021, SHBA ka akuzuar Kinën për “gjenocid” kundër ujgurëve në Xinjiang, në veriperëndim të vendit. Autoritetet amerikane, si dhe dëshmitarët okularë dhe organizatat e të drejtave të njeriut, pohojnë se shumë anëtarë të këtij minoriteti i nënshtrohen punës së detyruar dhe dërgohen në kampe.

Ndalimi i vizave i vendosur sot do të zbatohet për ish-zyrtarët dhe zyrtarët aktualë të përfshirë në politikën e Tibetit të Kinës, tha një zëdhënës i paidentifikuar i Departamentit të Shtetit, duke mos dhënë detaje të tjera.

Në deklaratën e tij, Blinken përmendi punën e raportuesve specialë të OKB-së, të cilët arritën në përfundimin në shkurt se rreth një milion fëmijë tibetianë u ndanë nga familjet e tyre dhe u dërguan me forcë në shkolla me konvikt.

Në prill, ekspertë të tjerë të OKB-së akuzuan Kinën se ka detyruar qindra mijëra tibetianë në programe “trajnimi profesional” që kërcënojnë identitetin tibetian dhe mund të çojnë në punë të detyruar.

Kina e ka sunduar Tibetin me grusht të hekurt që nga viti 1950. Shumë tibetianë në mërgim akuzojnë autoritetet kineze për masa represive dhe tortura dhe pretendojnë se autoritetet po përpiqen të fshijnë kulturën e tyre.