Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten vendosën veton ndaj një rezolute të OKB-së që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, mes shqetësimeve në rritje për numrin e viktimave civile atje.
Trembëdhjetë vende ishin në favor të rezolutës, ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën veton dhe Britania e Madhe abstenoi, raporton CNN.
Një draft version i rezolutës, i paraqitur nga Emiratet e Bashkuara Arabe, kishte bërë thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm humanitar”, si dhe “lirimin e menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të të gjithë pengjeve” dhe “sigurimin e aksesit humanitar”, sipas një projekt-kopje.
Të paktën 97 vende të tjera u bashkuan në përpjekje, duke bashkë-sponsorizuar projektligjin e hartuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
SHBA sinjalizoi më parë mosmiratimin e projekt-teksit. Vendi që është një nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit me të drejtë vetoje, i ka rezistuar vazhdimisht thirrjeve për një “armëpushim”, duke theksuar atë që pretendon se është e drejta e Izraelit për të mbrojtur veten pas sulmit terrorist të Hamasit.
Votimi ishte përpjekja e gjashtë e grupit 15 anëtarësh për të arritur një konsensus mbi luftën e vazhdueshme midis Izraelit dhe Hamasit. Vetëm një votim i mëparshëm ishte i suksesshëm, i cili kërkoi muajin e kaluar për krijimin e “pauzave dhe korridoreve humanitare” në Gaza.