Duke filluar që nga viti i ardhshëm, prania ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Evropë parashikohet të rritet ndjeshëm. Kjo do të vijë nga dislokimi i të një paktën një brigade të mekanizuar në vendet e Evropës Lindore, të cilat tani janë anëtarë të NATO.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë të dislokuar afro 65 000 ushtarë në Evropë. Pavarësisht se ky numër është shumë i vogël, krahasuar me më shumë se 200 000 që qëndronin të dislokuar gjatë viteve të Luftës së Ftohtë, rritja e numrit të tyre nuk do të pritet edhe aq mirë nga Rusia. Në të vërtetë, Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara prej vitesh diskutonte rritjen e pranisë ushtarake, për ta patur atë të shtrirë njëtrajtësisht edhe në vendet e tjera aleate në Evropën Lindore, por asnjëherë nuk ishte bërë realitet. Vitin e ardhshëm, Pentagoni ka parashikuar 3,4 miliardë dollar shtesë në buxhet vetëm për këtë qëllim, gjë që do të thotë se do të rritet numri i tankeve dhe ushtarëve amerikanë në kufijtë me Rusinë.