Tre policë kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë, pasi të paktën një person i armatosur i veshur me të zeza dhe me maskë ka hapur zjarr me pushkë, ndaj efektivëve. Ngjarja ka ndodhur në Baton Rouge të shtetit Luiziana.
Një prej të dyshuarve është vrarë dhe po zhvillohen kërkime për të gjetur të dyshuar të tjerë, që mendohet të jenë në gjendje të lirë, ka bërë me dije një zëdhënës policie.
Shtëpia e Bardhë thotë se zyrtarët kanë njoftuar Presidentin Obama për incidentin dhe se autoriteteve lokale u janë dërguar përforcime të tjera.
Guvernatori i Luizianës, John Bel Edëards, e cilësoi incidentin e sotëm “një sulm të papërshkrueshëm dhe të pajustifikueshëm ndaj të gjithëve ne në një kohë kur kemi nevojë për unitet dhe shërim.”
Një incident i ngjashëm me armë zjarri ndodhi në fillim të muajit, kur disa policë vranë një afrikano-amerikan. Alton Sterling u vra më 5 korrik, ndërsa po shiste CD jashtë një dyqani. Momenti i vrasjes së tij u regjistrua me një telefon celular dhe qarkulloi në mediat sociale.
Vrasja e Sterling, krahas me vrasjen e një afrikano-amerikani në shtetin e Minesotës, shkaktoi protesta lidhur me trajtimin e pakicave nga zyrtarët e ligjit. Në njërën prej këtyre protestave një snajper afrikano-amerikan qëlloi me armë zjarri, duke vrarë pesë policë të bardhë në Dallas të Teksasit.





