Menjëherë pas rezultateve në Iowa, faza e parë e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara ka patur zhvillime dramatike: Donald Trump humbi dhe tani bën thirrje se votimi u manipulua, disa kandidatë republikanë u tërhoqën nga gara, Hillary Clinton fitoi dhe tani gara e demokratëve është shndërruar në një përplasje kokë më kokë me Bernie Sanders, etj.
Megjithatë, akuzat e Donald Trump për manipulime dhe thirrjet e tij për përsëritjen e tyre ishin kulmi i kësaj etape të fazës së parë të zgjedhjeve presidenciale amerikane.
Zgjedhjet presidenciale amerikane – Faza e parë
Zyrtarisht, fushata për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara zgjat një vit. Ajo fillon, pak a shumë, në nëntor për të përfunduar në nëntorin e vitit të ardhshëm. Por, ajo është e ndarë në dy faza kryesore.
Në fazën e parë, gara bëhet brenda forcave politike: Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane. Secila nga këto forca politike, zakonisht, futet në garë me disa kandidatë, dhe secili shtet i Shteteve të Bashkuara zhvillon zgjedhje. Në fakt, ato nuk janë tamam zgjedhje, pasi votuesit, në bazë të preferencave politike, demokratë apo republikanë, votojnë vetëm për kandidatët e partisë që preferojnë.
Kjo fazë e parë zgjat nga janari në qershor. Gjatë kësaj periudhe, kandidatët bëjnë fushatën e tyre elektorale, duke shpalosur programet e tyre. Njëkohësisht, secili kandidatat u bën thirrje mbështetësve që ta votojnë dhe ta zgjedhin si kandidatin përfundimtar të partisë së tyre.
Pas përfundimit të fazës së parë, në muajin qershor, zakonisht në garë mbesin vetëm dy kandidatë. Bazuar në mbështetjen që kanë marrë në secilin shtet, Partia Demokratike dhe Partia Republikane tashmë kanë vendosur se cili do të jetë kandidati i tyre. Në të kaluarën ka patur raste kur në garë janë përfshirë edhe kandidatë të pavarur. Kjo përbën edhe fazën e dytë, fushatën e vërtetë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, e cila mbyllet më 8 nëntor, në ditën e votimeve.
Rezultatet e fazës së parë në Iowa
Partia Demokratike ka në garë tre kandidatë: Hillary Clinton, Bernie Sanders dhe Martin O’Malley. Në fund të votimeve, Clinton mori 49,9 përqind të mbështetjes, Sanders mori 49,6 përqind dhe O’Malley mori 0,5 përqind. Pas shpalljes së rezultatit, O’Malley deklaroi tërheqjen përfundimtare. Tani, për Partinë Demokratike, gara është shndërruar në një përplasje kokë më kokë mes Clinton dhe Sanders.
Për Partinë Republikane, gjërat janë më të komplikuara. Në garë për kandidaturën e Partisë Republikane janë 12 kandidatë. Në kundërshtim me të gjitha pritshmëritë, ishte Ted Cruz ai që doli i parë në në Iowa, me 27,7 përqind të mbështetjes, ndërkohë që Donald Trump mori 24,3 përqind. Surprizë ishte rezultati shumë i mirë nga Marco Rubio, me 23,1 përqind. Kandidatët e tjerë republikanë pritet të njoftojnë dorëheqjen nga gara. Ndërkohë, Trump ka mbetur i habitur nga rezultati. Sondazhet e tregonin atë me mbështetjen më të lartë mes republikanëve, ndërkohë që rezultoi krejt ndryshe. Ai ka lëshuar akuza për mashtrim e vjedhje votash, ndërsa ka kërkuar përsëritjen e votimeve.
Etapa e radhës është më 9 shkurt, në New Hampshire.
N. H.