Kandidati republikan Donald Trump dhe ai demokrat Bernie Sanders janë fituesit e zgjedhjeve paraprake për garën presidenciale të vitit 2016, në New Hampshire. Sanders, që doli i pari përpara Hillary Clinton, duke marrë 60,1 përqind të votave, tha se "kjo fitore dëshmoi se njerëzit duan ndryshime reale." Megjithatë, ish-sekretarja e shtetit Clinton ka deklaruar se "do të vazhdojë të luftojë për çdo votë në fushatë."
Ndërkohë, duke marrë 35,3 përqind të votave, Trump ishte fituesi i garës mes kandidatëve republikanë. Premtimi i tij ishte se "do ta bëjë Amerikën të madhe sërish."
Ndryshe nga rezultati shumë i ngushtë në Iowa mes Clinton e Sanders, në New Hampshire ky i fundit kishte një diferencë të theksuar në vota ndaj ish-sekretares së shtetit. Ndërkohë, edhe për Trump kjo ishte fitorja e parë, pas humbjes në Iowa.