Ndërsa rriten tensionet në prag të zgjedhjeve të ashpra presidenciale të martën, zyrtarët e rendit po sigurojnë votuesit se mund të hedhin votat e tyre pa u druajtur nga frikësimi dhe dhuna.

Shumë votues janë të nervozuar pasi një sërë incidentesh mes mbështetësve të Presidentit Donald Trump dhe votuesve demokratë që mbështesin ish-nënpresidentin Joe Biden, kanë ngjallur shqetësime se tensionet politike mund të përshkallëzohen në dhunë ditën e zgjedhjeve.

Ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë para hapjes së qendrave të votimit në të gjithë vendin për një raund të fundit votimi në zgjedhjet presidenciale dhe për Kongresin e vitit 2020, aktivistët e të drejtës së votimit dhe zyrtarët më të lartë të rendit në shtetet kryesore të cilat mund të vendosin fatin e zgjedhjeve të hënën, u përpoqën të qetësonin ankthin e votuesve.

“Kam shumë besim se do të kemi një proces të sigurt votimi në Uiskonsin dhe se gjërat do të shkojnë normalisht në votime nesër,” i tha Prokurori i Përgjithshëm i Uiskonsit, Josh Kaul medias.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbajtur zonat e qendrave të votimit të sigurta në mënyrë që çdo banor i Karolinës së Veriut të ndihet i sigurt se mund të votojë pa asnjë formë ngacmimi,” tha Prokurori i Përgjithshëm i Karolinës së Veriut Josh Stein.

Karolina e Veriut dhe Uiskonsin janë mes mbi dhjetë shtetesh fushë-beteja ku zoti Trump dhe zoti Biden ose kanë të njëjtin nivel mbështetjeje, ose zoti Biden ka një epërsi të lehtë. Rezultati i atyre garave shihet si vendimtar për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve presidenciale.

Ankthi parazgjedhor nuk është diçka e re. Tensionet politike kanë prirje të rriten në periudhën rreth zgjedhjeve kombëtare, thotë Brian Levin, drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë.

Përpara zgjedhjeve, vëzhguesit e ekstremizmit kanë paralajmëruar për rritjen e aktivitetit nga grupet e ekstremit të djathtë, ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit janë përgatitur për mundësinë, sado të vogël, të dhunës elektorale. Ndërsa është shumë herët për të thënë atë që do të sjellë e marta, bizneset kanë mbuluar me kompensatë vitrinat e tyre në Nju Jork, Uashington dhe gjetkë në pritje të trazirave të mundshme.

Ankthi është shkaktuar pjesërisht nga një sërë incidentesh gjatë fundjavës që përfshijnë mbështetësit e Trump dhe votuesit demokratë.

Të premten, një autokolonë makinash me mbështetës të presidentit Trump ndoqi një autobus të fushatës së zotit Biden ndërsa po kalonte nëpër një autostradë pranë qytetit qendror të Teksasit, San Marcos.

Sipas fushatës së zotit Biden, stafi që punon për garën e kandidatit demokrat i telefonoi linjës së emergjencave dhe policia lokale u përgjigj duke e shoqëruar autobusin deri në destinacion.

Fushata e zotit Biden tha se anuloi tre aktivitete për shkak të “shqetësimeve të sigurisë”.

FBI-ja dhe Departamenti i Policisë i San Marcos po hetojnë incidentin. Në një deklaratë, Departamenti i Sigurisë Publike i Teksasit tha se “do të ofrojë ndihmën e nevojshme”.

Ndërsa aktivitët e të drejtave të votimit e përshëndetën hetimin, zoti Trump u duk se e mbështeti veprimin e mbështetësve të tij, duke ngjallue shqetësime se ndjekësit e tij mund t’i merrnin gjërat në duart e tyre në ditën e zgjedhjeve dhe më pas.

Të Shtunën, presidenti e postoi në Twitter videon e incidentit me fjalët “I LOVE TEXAS”.

Të dielën në mbrëmje, ai kritikoi hetimet e FBI-së lidhur me incidentin, duke shkruar në Twitter “Për mendimin tim, këta patriotë nuk bënë asgjë të keqe”.

Po të dielën, më herët, gjatë një tubimi në Miçigan, zoti Trump tha “I patë përkrahësit tanë dje? Po mbronin autobusin”.

Ditët e fundit, mbështetësit e zotir Trump kanë organizuar tubime me autokolona në vend, nga Arizona në shtetin Uashington. Të dielën, një autokolonë e mbështetësve të presidentit bllokoi trafikun në zonën e qytetit të Nju Jorkut, ndërsa përplasjet midis policisë dhe protestuesve anti-Trump në Manhattan sollën si rezultat 11 arrestime.

Kaul, Prokurori i Përgjithshëm i Uiskonsit, tha se ndërsa votuesit kanë të drejtë të dalin në mbështetje të kandidatit të tyre, “kufiri kapërcehet kur kalon nga ushtrimi i të drejtave të tua tek kërcënimi i sigurisë së dikujt tjetër dhe kur prek të drejtën e dikujt tjetër për t’u shprehur sipas Amendamentit të Parë të Kushtetutës”, tha ai.

“Ajo që ndodhi në Teksas është absolutisht e papranueshme,” tha zoti Kaul.

Disa konfrontime të kohëve të fundit kanë përfshirë dhunë.

Të shtunën, një përleshje e dhunshme shpërtheu midis mbështetësve pro dhe anti-Trump në Beverly Hills të Kalifornisë. Policia lokale e shpalli atë grumbullim të paligjshëm dhe shpërndau turmën. Një mbështetës i zotit Trump njoftohet të jetë plagosur.

Në qytetin Graham të Karolinës së Veriut, policia spërkati lëndë djegëse për sytë ndaj një grupi protestuesish për të drejtat civile ndërsa marshonin drejt qendrës së votimit të shtunën. Zyra e Sherifit të Qarkut Alamance tha se “tubimi u ndërpre për shkak të shqetësimeve për sigurinë e të gjithëve”.

Dhe në Topeka të Kansasit, një burrë akuzohet se qëlloi tre adoleshentë që ai dyshonte se kishin vjedhur shenjat e pro zotit Trump nga oborri i shtëpisë së tij. Një person u plagos rëndë. Policia po heton ngjarjen.

Sarah Brannon, juriste me Projektin e të Drejtave të Votimit të organizatës ACLU, tha se incidentet pasqyrojnë frymën që ekziston në vend të trazuar.

“Njerëzit kanë ndjenja dhe emocione shumë të forta “, tha zonja Brannon. “Mendoj se mund të themi se ka patur pa dyshim një nivel shumë më të lartë vëmendjeje dhe nivel shumë më të lartë ankthit sesa kemi parë në dekadat e fundit “./VOA