Kreu i shtetit Hashim Thaçi, vazhdon të insistojë në ndryshimin e kufijve.

Teksa po qëndron në SHBA, të martën ai ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington DC, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ka thënë se Kosova nuk do të bëjë marrëveshje që s’e pranon SHBA-ja. Por ka shtuar se “nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, kjo do të duhej të jetë e pranueshme”.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë, paqe dhe stabilitet në rajon dhe do të ketë rol transformues në shoqërinë tonë”, u shpreh presidenti Thaçi, njofton zyra e tij.

Ai ka thënë se nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte, transmeton Koha.net. Kreu i shtetit theksoi se qëllim kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, duke folur për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Uashingtonit është vitale për Kosovën.

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me Shtetet e Bashkuara, ka dal fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike”, u shpreh presidenti Thaçi, përcjell Koha.net.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për marrëveshjen paqësore në mes të Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën. Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, shtoi ai.

Në këtë bashkëbisedim, presidenti Thaçi ka pranuar pyetje edhe nga audienca.

James Pardew, diplomat amerikan dhe një nga përfaqësuesit e SHBA-së për Kosovën në vitet 1999-2001, pyeti për çështjen e korrigjimit të kufirit.

Në përgjigjen e tij, presidenti Thaçi u shpreh se një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë sigurisht do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Një nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë”.

“Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhet të jetë e pranueshme”, u shpreh ai.

“Por, pikat strategjike si Liqeni i Ujmanit, qyteti i tërë i Mitrovicës, Trepça, këto janë resurse të panegociueshme”, pohoi presidenti Thaçi.

Pjesëmarrësit e tjerë kanë pyetur edhe për zhvillimin ekonomik dhe reformat në Kosovë, për të cilat presidenti Thaçi theksoi se janë storie të suksesshme, por se vazhdimi i suksesshëm i tyre varet nga krijimi i stabilitetit politik.

“Prandaj na nevojitet marrëveshja e përhershme e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo do t’i hapë rrugë reformave, zhvillimit dhe transformimit pozitiv të tërë shoqërisë”, përfundoi presidenti Thaçi.