Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përshëndetur votimin në Kuvend të dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.
Në një postim në Facebook, ambasada shkruan organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit dhe se "Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri."
POSTIMI I PLOTË
Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri.





