… zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Bakusë nuk “njeh” ministrin e Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri

DURRËS, 18 dhjetor 2013 – Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit Elmar Mamadjarov u takua, më 17 dhjetor 2013,  me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati, që shoqëronte në vizitën në Azerbajxhan Kryeministrin Edi Rama, në ceremoninë e nënshkrimit të vendimit përfundimtar të investimeve në projektin “Shah Deniz -2”, njofton Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit. Sipas të njëjtit burim “Mamadjarovi i shprehu mirënjohjen Shqipërisë për mbështetjen e pozicionit të drejtë të Azerbajxhanit”. Shefi i dikasterit të diplomacisë së Azerbajxhanit theksoi se për sigurimin e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon, në radhë të parë, është e nevojshme që të tërhiqen forcat e armatosura të Armenisë nga territoret e pushtuara. Ditmir Bushati, nga ana e tij, informoi se Shqipëria është e interesuar për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Azerbajxhanin. Në takim palët shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin midis Azerbajxhanit dhe Shqipërisë në kuadër të organizatave ndërkombëtare. U shkëmbyen mendime mbi çështjet ndërkombëtare dhe rajonale me interes të ndërsjellë.

Harresa

Në fakt, Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit nuk përmend emrin e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, që ishte i pranishëm në takim, po t’i referohemi njërës prej fotove (shih foton kryesore dhe faksimilen e faqes në ueb të Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit në versionin turqisht-azerbajxhanisht)!

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/