MOSKË, 27 shtator 2013 – Kremlini “mbështet aktivisht” programin e qeverisë së re shqiptare, kështu pas Uashingtonit edhe "Roma e Tretë" shfaq mirësjellje ndaj Tiranës, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse pas takimit të shefit të diplomacisë Sergej Lavrov me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Takimi u zhvillua më 26 shtator 2013 në Nju Jork në kuadër të sesionit të 68 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Gjatë takimit Rama ka informuar mbi programin e qeverisë së tij, të krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit në Shqipëri, zhvillimin e gjithanshëm të marrëdhënieve ruse-shqiptare, aktivizimin e bashkëpunimit tregtar-ekonomik nëpërmjet realizimit të një sërë projektesh perspektive infrastrukturore, shfrytëzimit të i potencialit të lidhjeve kulturore-humanitare. Këtë qëndrim e mbështeti aktivisht Lavrov, i cili dha vijat e përgjithshme të interesit të biznesit rus ndaj një sërë projektesh ekonomike në Shqipëri”, – thuhet në komunikatën për shtyp të MPJ-së ruse. Sipas dikasterit të politikës së jashtme, u diskutuan gjithashtu çështje aktuale të agjendës ndërkombëtare, përfshirë situatën në Ballkan. Lavrovi dhe Rama ranë dakord për futjen e praktikës së konsultimeve të rregullta mes Ministrive të Jashtme të të dy vendeve, me theks në dimensionin evropian. Ndërkaq Kryeministria shqiptare ende nuk ka dhënë ndonjë njoftim mbi takimin Lavrov-Rama.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





