TIRANE – Drejtues të Spitalit Ushtarak kanë pohuar se shefi i krimeve të Burrelit, Musa Skura do të transportohet nesër drejt Italisë, për kurim më të specializuar. 

Shefi i krimeve do të kurohet në spitalin e Foxhias “Padre Piu”, ndërsa shpenzimet e transportit për Musa Skurën do të mundësohen nga shteti. 

Më herët ministri i Brendshëm Flamur Noka, ndërsa vizitoi në Spitalin Ushtarak shefin e krimeve të Burrelit Musa Skura, bëri të ditur se “jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për t’i shpëtuar jetën. Kemi kontaktuar me spitalin "San Giovani" në Foggia të Italisë, një nga spitalet më të specializuara. Jemi në pritje të kthimit të përgjigjes dhe dërgimin e një avioni sanitar për transportimin e shefit të krimeve". 

Shefi i krimeve të Burrelit, Musa Skura, u plagos gjatë një operacioni policie pranë fshatit Suç. Efektivët e rendit kishin sinjalizime për grabitje të shpeshta me maska në aksin Burrel-Klos, e për këtë kishin organizuar një aksion për kapjen e grabitësve. 

Musa Skura ka qenë duke udhëtuar me një makinë civile, kur ka parë dy persona të cilët kishin dalë të armatosur dhe të maskuar në këtë aks. Teksa ka kërkuar dorëzimin e tyre, shefi i krimeve është qëlluar nga një person i tretë, i cili ishte fshehur rreth 10 metra në anë të rrugës. Nga plumbat, përveç efektivit të policisë ka mbetur I plagosur dhe një nga grabitësit.

Mëngjesin e sotëm është konstatuar një prezencë e madhe e forcave policore dhe efektivëve të RENEA-s në vendin e ngjarjes, të cilët kanë punuar për mbledhjen e provave të tjera materiale, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.