Një apel i pazakontë ka ndodhur në Filipine, ku shefi i policisë Ronald Dela Rosa, i cili po udhëheq fushatën kundër kriminalitetit në vend, u ka bërë thirrje përdoruesve të lëndëve narkotike për të vrarë trafikantët e drogës.
“Ju mund t’i vrisni ata sepse në të vërtetë ju jeni viktimat. Shkoni merrni benzinë dhe digjini shtëpitë e tyre. Tregoni inatin që keni!”, bëri thirrje Dela Rosa.
“Këta njerëz veçse po pasurohen. Po ju? Ju po varfëroheni, ndërsa qelizat e trurit po ju dalin jashtë funksionit”, u tha narkomanëve shefi i policisë.
Ai e mbajti këtë fjalim përpara një salle ku ishin të pranishëm 1.300 përdorues droge, të cilët ishin vetëdorëzuar në polici pas nisjes së fushatës së egër kundër drogës.
Menjëherë komentet e tij sollën kritika nga mbarë bota. Filipinet janë kthyer në fokusin e organizatave të të drejtave të njeriut dhe ndërkombëtarëve, pasi që kur presidenti Rodrigo Duterte ka marrë detyrën, më shumë se 1.900 persona janë vrarë në krime të lidhura me drogën. Presidenti ka deklaruar se zyrtarë të lartë, përfshirë qeveritarë janë të implikuar në këtë biznes vdekjeprurës.





