Shefi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, tha më 28 maj se është i bindur që zyrtarë të lartë të Kremlinit ua kanë ndaluar mediave shtetërore ruse që të raportojnë për të. Ai porositi se një qasje e tillë mashtruese do të çojë deri te një reagim nga populli rus brenda muajsh.
Prigozhin, që është themelues i Wagner-it, është anëtari më i njohur i rrethit të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili fitoi famë gjatë luftës 15-mujore në Ukrainë.
Forcat e Prigozinit kanë qenë në ballë të betejës për marrjen e kontrollit të qytetit lindor ukrainas të Bahmutit. Rusia ka pretenduar se e ka marrë këtë qytet, gjë që është mohuar nga Ukraina. Megjithatë, roli i Prigozhinit në këtë fitore të pretenduar ruse në Bahmut është minimizuar nga mediat shtetërore ruse.
Një tregues sipas Prigozhinit është që mediat shtetërore injoruan pretendimin për marrjen e Bahmutit për 20 orë dhe nuk transmetuan fare fjalimin e tij.
I pyetur se pse media shtetërore ruse kishin ndaluar mbulimin për të, Prigozhin përdori disa proverba ruse për të ngacmuar ata që ai tha se janë përgjegjës për këtë: “Çfarë është e ndaluar është gjithmonë më e ëmbël”, tha ai.
“Wagner nuk mund të përdoret nga burokratët. Wagner nuk mund të fshihet. Jam shumë i sigurt se ata kanë ndaluar mbulimin mediatik për ne. Burokratët e nivelit të lartë në Kremlin po mundohen të mbyllin gojën e kujtdo, në mënyrë që të mos flitet për Wagner-in”, shtoi ai.
Sipas tij, një qasje e tillë do të marrë një kundërpërgjigje nga populli rus.
Pavarësisht se Rusia dhe Wagner-i kanë pretenduar se kanë nën kontroll Bahmutin, Kievi ka insistuar se forcat e tij ende kanë nën kontroll një pjesë të vogël të këtij qyteti që gjendet në rajonin e Donjeckut./REL