Francë, 27 gusht 2014 – Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde thotë se është vënë nën hetim për neglizhencë në një çështje mashtrimi në Francë, por ndaj saj nuk është ngritur akuzë. Sipas BBC, ajo është pyetur disa herë për rolin e saj në një pagesë prej 400 milionë euro si kompensim për biznesmenin Bernard Tapie në vitin 2008.

Lagarde, 58 vjeç, ishte ministre e Financave nën qeverisjen e Nicolas Sarkozy, në kohën kur biznesmeni mori kompensimin. Tapie e kishte mbështetur zotin Sarkozy gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale në vitin 2007. Dikur ai ishte një nga aksionerët kryesorë në kompaninë e mallrave sportivë, Adidas, por i shiti ato që të bëhej ministër në kabinetin e socialistit Francois Hollande.

Ai paditi bankën Credit Lyonnais për trajtimin e kësaj shitje në vitin 1993, duke thënë se banka- pjesërisht shtetërore- e kishte mashtruar atë, duke ia nënvlerësuar qëllimisht kompaninë. Lagarde ia dorëzoi çështjen e tij një paneli arbitrazhi prej tre personash, të cilët vendosën për kompensimin.

Hetuesit dyshojnë se kompensimi iu dha në këmbim të mbështetjes që kishte dhënë për Nicolas Sarkozy. Sipas BBC, edhe pse Lagarde nuk është akuzuar zyrtarisht, një zhvillim i tillë mund të ngrejë pikëpyetje për pjesën e mbetur të mandatit të saj si drejtuese e FMN.

Ajo e mori këtë detyrë në korrik të vitit 2011 dhe mandati i mbaron në vitin 2016. Lagarde i tha AFP se ajo nuk ka ndërmend që të japë dorëheqjen.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/