Deputeti demokrat Agron Shehaj ka deklaruar mbrëmjen e djeshme në studion e “Opinion”, se në selinë e Partisë Demokratike ka njerëz të armatosur.

I pyetur se çfarë i pengonte mbështetësit e Berishës që të shkonin në seli, Shehaj dha këtë përgjigje dhe shtoi se nuk duan përplasje.

Ai akuzoi Lulzim Bashën, të cilin e quan tashmë ish-kryetar, duke thënë se është personi më i interesuar që të ketë përplasje.

Kjo është një deklaratë e fortë që bëhet për herë të parë nga një zyrtarë i lartë i PD, edhe pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në selinë blu.

“Tani shkojmë tek selia, pse ne nuk shkojmë tek selia ose shkojmë pak? Kemi shkuar njëherë kemi bërë mbledhje. Kolegët e mi kanë shkuar disa herë mesa kam dijeni. Por nuk kemi vajtur rregullisht si duhet të shkojmë sipas mendimit tim. Nuk kemi shkuar për mos të krijuar përplasje. Thatë pse vajtët atje dhe nuk u futët? Është shumë e thjeshtë, dhe sot është shumë e thjeshtë. Aty mund të ketë përplasje dhe mund të ketë viktima.

Ka njerëz të armatosur dhe të fortë brenda PD-së. Është informacion, është i saktë e kemi parë. Po të jap arsyen pse nuk jemi futur. Çfarë na pengon që Lulzim Basha, i cili nuk është më në krye të partisë sipas shumicës, që të marrim në dorëzim selinë e PD dhe ta dorëzojmë PD-në nga selia, kjo është arsyeja, sepse nuk duam përplasje. Kryetari, ose më mirë ish-kryetari është personi që ka më shumë interes që aty të ketë përplasje”, tha Shehaj.