Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas akuzave për pagesën e 1 milion dollarëve për vizitën e tij në vilën e Donald Trump, Mar-a-Lago. Ai ka drejtuar një mesazh të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për manipulim dhe shpifje.

Debati nisi pasi Shehaj publikoi një video nga Mar-a-Lago, ndërsa Rama ironizoi vizitën e tij, duke e krahasuar me një rast ku dikush shkrep foto para Trump Tower në Nju Jork dhe pretendon mbështetje nga Trump.

Në reagimin e tij, Shehaj tha se akuzat e Ramës janë të rënda, pasi jo vetëm që e sulmojnë atë personalisht, por edhe njerëzit pranë Trump, duke lënë të kuptohet se ata kanë marrë para në mënyrë të fshehtë për të organizuar vizitën.

“Kjo është një akuzë shumë e rëndë, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj atyre që sipas tij, paskan fshehur një aktivitet lobimi,” u shpreh Shehaj.

Shehaj theksoi se nuk ka paguar për vizitën, por ishte i ftuar nga një senator amerikan dhe mori pjesë në një tryezë me senatorë, kongresmenë dhe biznesmenë të fuqishëm pranë administratës së Trump.

Reagimi i tij erdhi pasi disa media raportuan se ai kishte paguar 1 milion dollarë për të marrë pjesë në eventin në Mar-a-Lago, një akuzë që ai e cilëson të pavërtetë dhe një përpjekje për ta diskredituar.