Agron Shehaj e ka vijuar në Vlorë turin e takimeve elektorale në kuadër të zgjedhjeve për kreun e PD. Shehaj ka kërkuar votën e demokratëve më 13 qershor, duke thënë se PD duhet të reformohet për të shkuar drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.
Kandidati pë kreun e PD tha se e vetmja mënyrë për të rrëzuar qeverinë “Rama” është vota e qytetarëve. Kandidati demokrat theksoi se në zgjedhjet e fundit shqiptarët nuk besuan tek ta dhe shkak për këtë është lidershipi.
“Unë besoj se e vetmja mënyrë për të rrëzuar Ramën është vota. Betejat tona duhet të bëhen në institucione dhe parlament. Rruga që ndoqëm nuk na çoi askund. Djegia e mandateve mundësoi ndryshimin e sistemit zgjedhor duke ndaluar koalicionet. Mospjesëmarrja në zgjedhje po ashtu na ka dëmtuar. Po të mos kishin ndodhur këto dy gjëra ka shumë gjasa që do të kishim fituar më 25 prill. Ne duhet të punojmë ta bëjmë PD më të fortë dhe më të besueshme. Duhet t’u flasim shqiptarëve për atë që ata kanë nevojë të dëgjojnë. Duhet t’u flasim me gjëra konkrete. Marrim rastin e zgjedhjeve të fundit. Problemet kryesore të shqiptarëve janë papunësia dhe ato ekonomike. Shkaku kryesor është korrupsioni dhe kjo duhet të kishte qenë çështja kryesore në zgjedhjet e fundit. Po i folëm shqiptarëve për integrimin në BE që po ashtu është i rëndësishëm nuk kanë për të na kuptuar. E vërteta është që shqiptarët nuk besuan tek ne, sepse nuk besuan tek lidershipi. Duke parë si është drejtuar opozita ishte e qartë”,- tha Shehaj.





