Diskutohet këtë të hënë në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësisë për projektligjin e miratuar nga qeveria për legalizimin e kanabisit mjekësor.
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, është shprehur gjatë mbledhjes se projektligji për legalizimin e kanabisit mjekësor është i rrezikshëm. Për këtë ai ka listuar disa arsye se pse projektligji duhet rrëzuar.
Mes të tjerave, Shehu shprehet se projektligji për legalizimin e kanabisit mjekësor është vetëm “kopertura e sheqerosur për të shkuar te legalizimi i kanabisit si drogë.
“Në këto kushte pasi paraqita vetëm disa nga problemet, kontradiktat, paqartësitë që përmban qoftë edhe formalisht kërkoj rrëzimin e këtij projektligji sepse: Ky projektligj vjen në shqyrtim në parlament në përfundim të sezonit të legjilaturës si një përpjekje e dyshimtë që të kalojë sa më parë në mënyrë që të shërbejë për këtë legalizim të kanabisit mjekësor dhe të ashtuquajtur industrial. Dyshimet për një proces të qëllimshëm shtohen edhe me faktin se Komisioni Shëndetësisë nuk ka kompetencat dhe përgjegjësitë e plota duke marrë në konsideratë se implikimet e këtij projektligji afektojnë kodin penal të Republikës së Shqipërisë. Ngarkimi i Ministrisë së Shëndetësisë me aplikimin e këtij aktiviteti është i pakuptimtë dhe e bën çdo gjë të pakontrollueshme. Tashmë është një fakt i njohur botërisht për efektet e rënda në sigurinë publike, në implikimet politike, qeverisje, tendera publike, ekonomi dhe çështje sociale e shëndetësore që ka sjellë masivizimi i prodhimit të jashtëligjshëm të kanabisit dhe përfitimet e tij të pastruara në ekonominë e vendit”, tha Shehu.
Sipas tij edhe nxitimi për miratimin e projektligjit “ngre dyshim se mund të ketë implikime në kultivimin e paligjshëm aktual të kanabisit”. Sipas Shehut, projektligji nuk mund të miratohet pa realizuar ndryshimet në Kodin Penal.
“Nisur nga hendeku ligjor në parashikimet veçanërisht të nenit 37, 41 pika 1 të projektligjit i cili krijon paqartësi dhe kontradikta deri në krijimin e dyshimit që mund të interpretohet në mënyrë të qëllimshme për t’u anashkaluar veprime të cilat brenda kodit penal klasifikohen si vepra penale”, tha Shehu.
Ndër të tjera, ai tha se Shqipëria nuk është e gatshme për të monitoruar në mënyrë të plotë veprimtarinë e fermave të kultivimit. Kjo do të krijojë burokraci dhe mundësi të dyshimta për funksionarë apo nëpunës të ndryshëm, shtoi ai.