TIRANE, 17 mars 2013-Deputeti i Partisë Demokratike, Sherefedin Shehu, në një konferencë për shtyp, duke iu referuar kritikave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, për Rrugën e Arbrit, gjatë takimeve në Dibër, tha se Rama e ka kundërshtuar këtë rrugë në çdo moment dhe ka bllokuar progresin.
Shehu tha se e" vërteta është se Rama i detyroi deputetët e tij të votojnë kundër financimit te kësaj rruge 3 herë rresht, dhe hera e fundit vetëm para 3 muajsh dhe ka përdorur çdo mundësi për të bllokuar progresin për qytetaret me kusht që të marrë diçka për vete".
"Rruga e Arbrit është premtimi solemn i PD-së, si një rrugë e dytë e kombit, dhe pavarësisht sajesave të z.Rama, ndërtimi i saj ka filluar dhe po ecën përpara", tha deputeti Shehu.
Ai bëri të ditur se ndërkohe që çështjet teknike kanë vonuar tunelin e Murrizit, tani që janë sqaruar këto probleme, brenda këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e tunelit dhe të urës së Vashës. "30 km janë ndërtuar tashmë dhe ndërtimi po vijon si nga Bulqiza edhe nga Tirana"- tha Shehu.
"Rama duhet që të kërkojë ndjesë publike se ka detyruar deputetet e tij të votojnë kundër rrugës së Arbrit dhe kundër çdo rrugë tjetër dhe çdo investimi në këto 3 vite", tha deputeti demokrat, Sherefedin Shehu.