25 familje ish-të përndjekurish politikë kanë mbetur në qiell të hapur. Bëhet fjalë për familjet e strehuara në ish-kabinat e plazhit në zonën e Golemit në Kavajë. Rreth orës 08:00 të mëngjesit, çatia e banesës së tyre është shembur e gjitha, ndërsa të gjithë familjarët kanë shpëtuar për mrekulli, për shkak se në atë orë ishin zgjuar prej gjumit.

Banorët shprehen se u strehuan aty në fillim të viteve 1990 nga bashkia e Kavajës, me premtimin se do të i gjendej zgjidhje problemit të tyre. Por 25 vet më pas, godinat u amortizuan edhe më shumë, ndërsa të gjendura buzë plazhit, ish-kabinat degraduan më shpejt, duke bërë që mëngjesin e sotëm çatia e tyre të shembej e banorët të mos kenë asnjë mundësi për strehim.

Banorët deklarojnë se nuk kanë gjetur asnjë zgjidhje nga bashkia e Kavajës, dhe sipas tyre në kohën kur u shpërndanë hyrjet e 6 pallateve, asnjë prej të përndjekurve nuk ishte përfitues.

Në të tilla kushte, i kanë bërë apel bashkisë së qytetit të Kavajës dhe qeverisë të kthejë sytë nga këta banorë  që në kohën e komunizmit ishin të përndjekur politikë, ndërsa 25 vjet më pas në demokraci mbeten të përndjekur ekonomikë dhe socialë.

Banorët thonë se kanë shkuar në bashkinë e Kavajës vazhdimisht, por nuk kanë marrë asnjë zgjidhje për problemin e tyre të strehimit. Madje ata thonë se deri tani kanë marrë vetëm nga një këst të dëmshpërblimit si ish-të përndjekur, dhe më pas procesi është bllokuar.   

K.H.