Rruga e re Shëngjin–Velipojë e përuruar në prill të 2025 ka pësuar dëmtime në një pjesë të konsiderueshme të gjatësisë së saj, si pasojë e rrëshqitjes së gurëve dhe dherave, duke sjellë edhe shembjen e trasesë së saj në disa metra.

Siç shihet edhe përmes pamjeve rrëshqitje ka pasur në të dyja anët e skarpateve pranë fshatit Rrjoll, ndërsa çarje ka pësuar edhe traseja e rrugës, e cila rrezikon të shembet edhe më shumë.

Për rrjedhojë, qarkullimi në kahun ku janë vërejtur problematikat është bllokuar prej 2 ditësh, ndërsa lëvizjet e automjeteve kryhen me vështirësi vetëm në njërin sens.

Rruga panoramike Shëngjin-Velipojë ka kushtuar 3.8 milionë euro, ndërsa është konsideruar nga qeveria shqiptare si një investim strategjik në fushën e turizmit, pasi lidh dy nyje të rëndësishme të bregdetit të Adriatikut.

Rrëshqitjet në këtë aks vetëm 8 muaj pas përurimit ngrenë pikëpyetje të mëdha për cilësinë e punimeve, problematikë e hasur edhe në akse të tjera të rëndësishme, si Qukës-Qafë Plloçë apo Korçë-Ersekë, ku shembjet vijuan me shirat e parë të vjeshtës.

Aksi Shëngjin Velipojë me një gjatësi rreth 15 kilometra është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Problemet me rrugët vijojnë. Disa ditë më parë shembje u regjistruan edhe tek rruga Qukës-Qafë Plloçë e Korçë-Ersekë.

Ndërsa sot u raportua se dëmtime të trasesë ka pësuar edhe Rruga e Arbrit.