Një pallat katër katësh është shembur në qendër të Marsejës në Francë e sipas raportimeve të para të mediave vendase nuk dihet nëse ka viktima.

Bëhet fjalë për një ndërtesë banimi në rrugën “d’Aubagne”, në zemër të Marsejës e cila është shembur rreth orës 09:00. Forca të shumta zjarrfikëse dhe të shpëtimin janë aktualisht në vendin e ngjarjes duke kërkuar për njerëz, ndërsa zona është evakuuar. Po kështu është dërguar dhe një njësi e qenve të kërkimit për të kontrolluar nën rrënoja për njerëz.

Flitet për dy të plagosur lehtë, ku një grua është nxjerrë nga pallati e mbuluar nga pluhuri por e pa dëmtuar. Policia iu ka bërë thirrje njerëzve të evitojnë lëvizjen në zonë për t’u hapur rrugë forcave të shpëtimit.

Bashkia ka deklaruar se kishte ndaluar prezencën e njerëzve në pallatin e shembur pasi ishte i vjetër dhe i rrezikshëm, por nuk e përjashton prezencën e njerëzve të paautorizuar.