Të paktën një person ka mbetur i vrarë, një i plagosur dhe 10 të tjerë të bllokuar nën rrënoja, nga shembja e një ndërtese 10 katëshe në Buenos Aires.

Mediat e huaja bëjnë me dije se pallati 10 katësh i cili ishte në rikonstruktim e sipër u shemb gjatë natës në një zonë bregdetare në periferinë jugore të Buenos Aires.

Sipas raportimeve të mediave lokale në vendgjarje ndodhen 300 specialistë nga ekipet shpëtuese, të cilët po punojnë për nxjerrjen e personave që kanë mbetur të bllokuar nën gërmadha.

Sipas autoriteteve lokale në qytet, ndërtesa, e cila dikur funksiononte si hotel, u shemb rreth orës 01:00 me orën lokale.