20 tetor 2013- Pesë orë pas shpërthimit të eksplozivit në ndërtesën pa leje pranë Ekonomikut, ka rënë plotësisht ndërtesa. Forcat xheniere të ushtrisë dhe policia, fillimisht me një shpërthim të komanduar me 300 kallëpe  lëndë plasëse, kanë arritur të shembin pjesërisht godinën 4-katëshe. Xhenierët, që kryen shpërthimin, thanë se nuk mund të bëhej një goditje më e fuqishme, për të mos shkatërruar ndërtesat e tjera rrotull. Më pas, rreth orës 16:00, një fadromë ka nisur goditjen e kolonave të objektit, për ta rrëzuar pak nga pak.

Proces që ka zgjatur rreth 5 orë dhe më në fund godina, e cila vazhdimisht qëndronte e mënjanuar nga ana lindore, është rrëzuar po në atë anë, aty ku dëmi nga lënda plasëse dukej edhe më i madh. Ministria e Mbrojtjes pas aksionit lajmëroi për përfundimin me sukses të tij, ndërsa ajo e Brendshme njoftoi se gjatë gjithë natës do të punohet për pastrimin e zonës nga mbetjet e godinës së shkatërruar në pronësi të Kol Gjokmarkaj. Familja Gjokmarkaj pas shpërthimit ka bërë apel për lirimin e familjarëve të tyre (tre vëllezër dhe motra e tyre, për të cilët ishte parashikuar si shtëpi edhe godina e shkatërruar) nga mjediset e policisë, meqë shpërthimi përfundoi.

Ata tentuan të futen sot në godinë bashkë me fëmijë. Ndërkohë nga ana e saj policia në mënyrë që të shmangte ndonjë konflikt i mundshëm ka mbajtur në komisariatin Nr1, 13 pjesëtarë të familjes Gjonmarkaj. Ndërtesa pesëkatëshe u bllokua dy javë më parë nga policia, pas një urdhri të Task Forcës për ndërtime pa leje, të drejtuar nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Ishte vendimi i kësaj Task Force për ta shembur në këtë mënyrë ndërtesën. Sipas burimeve policore u vendosën 35 kilogram eksploziv i llojit C4 në themelet e godinës dhe kolonat e katit të parë. Forca nuk bëri të mundur shkatërrimin e saj të plotë, por e bëri të lehtë për ta rrëzuar atë në mënyrë mekanike. Ne oret e pasdites ishte fadroma që realizoi prishjen e godinës 5-katëshe.Gjatë shembjes totale, pati panik, sepse u mendua se punëtori që drejtonte eskavatorin mund të ishte zënë poshtë godinës, por fatmirësisht në momentin e fundit drejtuesi i eskavatorit ka dalë jashtë pa pësuar asnjë lëndim.