Gjatë natës së kaluar, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në dy banesa në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, si dhe dëmtime (shkarje) të rrugës kryesore që lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.
Si pasojë e shkarjes së dherave, një prej banesave është shembur plotësisht, ndërsa tjetra ka pësuar dëmtime të rënda.
Banorët tregojnë momentet e frikshme të shembjes së shtëpisë. Një e moshuar 70-vjeçare ka rrëfyer se rreth orës 02:00 të mëngjesit, muri i banesës u shemb papritur për shkak të masës së madhe të dherave që rrëshqitën nga shpati.
“Sapo ra muri, dolëm menjëherë nga banesa, sepse rrezikonim të na zinte poshtë,” shprehet ajo me lot në sy. E moshuara thotë se aktualisht nuk ka asnjë mundësi strehimi dhe apelon për ndihmë nga bashkia.





