Policia e Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar një person lidhur me shembjen e dheut në një vendpunishte në lagjen Veternik në Prishtinë.

Si pasojë e shembjes së dheut në Prishtinë më 5 prill, një person vdiq dhe një tjetër u lëndua.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Boroci të shtunën i tha Radios Evropa e Lirë se autoritetet kishin marrë informacionin rreth orës 13:00 se dy persona janë zënë nga shembja e dheut në rrugën “Gjilani”.

“Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar pa shenja jete, nga ana e mjekëve emergjentë”, deklaroi Boroci.

Sindikatat e të drejtave të punëtorëve vazhdimisht kanë shprehur shqetësim për shkallën e lartë të lëndimeve dhe vdekjeve në sektorin e ndërtimtarisë./REL