Ministria e Kulturës ka reaguar lidhur me deklaratën e Athinës zyrtare për prishjen e dy objekteve të shpronësuara në Dhërmi.

Në një deklaratë për mediat, Ministria sqaron se shembja e tyre është pjesë e një procesi të nisur që në prill të vitit 2016 prej saj, për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në këtë zonë.

“Plani përkatës, pjesë e një strategjie në nivel kombëtar, është konsultuar gjerësisht dhe është miratuar bashkë me komunitetin dhe organet e pushtetit vendor të Bashkisë Himarë. Kësisoj, janë identifikuar edhe ndërtimet që cënojnë trashëgiminë, janë bërë të gjitha njoftimet përkatëse në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje, shpronësimin, si dhe janë kompensuar pronarët në bazë të ligjit në fuqi”.

Në rastin konkret, sqaron Ministria e Kulturës, bëhet fjalë  për dy godina të ngritura mbi një burim uji brenda zonës së mbrojtur si trashëgimi kulturore.

“Për pronarët e prekur janë respektuar të gjitha procedurat ligjore, si për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe në përputhje me të gjitha normat e konventat ndërkombëtare”.

Ministria nënvizon se sundimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, qofshin shqiptarë, përfaqësues të pakicës greke apo pakicave të tjera pa dallim, përjashtim apo diskriminim.

“Mbi këtë bazë, çdo qytetar shqiptar, minoritar ose jo, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatave shqiptare si organet kompetente për interpretimin e Ligjit në Republikën e Shqipërisë”.

Në përfundim të deklaratës, Ministria e Kulturës thotë se Shqipëria beson fuqimisht se vetëm zgjidhjet e bazuara në shtetin e së drejtës dhe respektimin e ligjit për të gjithë, garantojnë perspektivën europiane të vendit, ashtu siç theksohet dhe në përfundimet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE të dhjetorit 2016.

Një ditë më parë, Ministria e Jashtme e vendit fqinj vuri në dukje se “për fat të keq, autoritetet shqiptare filluan në Dhërmi të Himarës shembjen e objekteve turistike që u përkasin pjesëtarëve të minoritetit grek”.

Sipas Ministrisë së Jashtme greke, shembjet po realizohen duke shkelur dispozitat e legjislacionit shqiptar dhe para se të shpallen vendimet gjyqësore të formës së prerë.